Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PDK-së, Artan Behrami i cili akuzoi ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për refuzimin e kërkesave të Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.
“Tash e disa herë, Fondacioni ‘Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçi’, ka bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për financimin e mbrojtjes së Presidentit Thaçi, e cila përballet me Prokurorinë e Gjykatës Speciale me buxhet miliardësh!Albulena Haxhiu i ka refuzuar të gjitha kërkesat”, ka shkuar ai.
Në reagim, Ministria njofton se nga fillimi i procesit janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Sipas MD-së, vetëm për mbrojtjen e Thaçit janë paguar 5 milionë euro.
Njoftmi i plotë:
NJOFTIM PËR MEDIA
Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24.07.2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.
Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77€ (tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent).
Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent).
Pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar përmes përkrahjes së vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.