Qytetarët e Kosovës mund të pajisen me pasaportë të Republikës së Shqipërisë. Kjo nëse miratohet projektligji për shtetësinë i iniciuar nga Qeveria e Shqipërisë. Sipas këtij projektligji pasaporta mund të fitohet edhe nëse ke origjinë shqiptare pa qenë nevoja që të jesh i lindur në vend.
Këtë ndryshim e parasheh Neni 6 i Ligjit të Shtetësisë, i cili e rregullon fitimin e shtetësisë me origjine: “ Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin. Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara”, thuhet në projektligj.
Nëse aprovohet nga deputet te kuvendit të Shqipërisë ky ligj shfuqizon vendimin e vitit 2013 nga i cili kosovarët u përjashtuan për të marrë shtetësinë shqiptare edhe pse mund të provonin origjinën.
Formë tjetër e fitimit të shtetësisë është dhe të lindesh në territorin e Shqipërisë edhe nëse asnjëri nga prindërit nuk janë. Kjo është forme e ngjashme me atë të ShBA e njohur si parimi “Jus soli”.