Live

Milazim Krasniqi për Kurtin: Gjuhën e urrejtjes s’e ka për opozitën, por për Amerikën

21:02 / 22 Janar 2025

Nga Kosova Live

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, po e përhapë gjuhën e urrejtjes kundër opozitës, medieve, biznesmenëve e prokurorëve, pa e provokuar askush.

Krasniqi tha se Kurti, gjuhën e urrejtjes po e shndërron në program, meqë sipas tij, kreu i qeverisë aktuale ka hyrë në fushatë pa një të tillë.

“Në të kaluarën, si opozitar, ai përdorte gjuhën e urrejtjes dhe dhunën politike, por në sfondin e masave që mirreshin nga drejtësia, ai shpesh dukej si viktimë. Por, tash po e përdorë gjuhën e urrejtjes, duke qenë pushtetar e nuk mund të trajtohet si viktimë”.

“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes si pushtetar, jo vetëm që nuk ia krijon alibinë e viktimës, por paraqet rrezik më të madh për sigurinë në vend. Mbi të gjitha, paraqet rrezik për procesin zgjedhor. Nuk është krejt e qartë pse Kurti po insiston me aq ngulm, që të dëmtohet procesi zgjedhor”, shkroi Krasniqi.

Megjithatë, sipas Krasniqit, Kurti gjuhen e urrejtjes e ka si mesazh që sipas tij, po tenton ta përcjellë tek amerikanët se “nëse nuk më lini në pushtet, do ta rikthej dhunën politike në Kosovë”.

“Ky është mesazhi-shantazhi i Kurtit për ShBA-në e NATO-n. Por pas fitores së Trumpit në ShBA, ky shantazh nuk pi më ujë. Administrata e Trumpit nuk shantazhohet. E kundërta mund të ndodhë: ajo mund ta shtyjë LVV-në drejt opozitës, që atje të kërkohet llogari prej saj, me anën e drejtësisë, për krimin e korrupsionit qeveritar dhe për rrezikimin që u është bërë ushtarëve të KFOR-it në veri, nga politikat e pakoordinuara me ndërkombëtarët”.

“E sigurt është që në këto zgjedhje Kurti nuk ka konflikt me opozitën, sepse opozita nuk e ka pranuar ofertën e tij për konflikt. Në këto zgjedhje Kurti ka konflikt (sado që duket i fshehur) me ShBA-në. Ka rrezik që shantazhi i Kurtit ndaj ShBA-së, me rrezikimin e stabilitetit të Kosovës, ka njëfarë ngjashmërie me konfliktin e Berishës me ShBA-në në vitin 1996, gjë që rezultoi me katastrofën e vitit 1997”, tha Krasniqi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...