Live

Ministria e Haxhiut i ikë çështjes kryesore, s’tregon a u refuzua kërkesa për mjete financiare për Thaçin

13:21 / 24 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Ish presidenti Hashim Thaçi rrezikon të mbetet pa ‘kokën’ e ekipit mbrojtës në Hagë. Një kërkesë urgjente nga Fondacioni për Mbrojtjen Juridike të tij, e dorëzuar në Qeverinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Drejtësisë, thuhet të jetë refuzuar.

MD që për tri javë nuk ktheu përgjigje në pyetjet e Klan Kosovës lidhur me fondacionin, sot doli me një reagim, pas publikimit të kronikës së mbrëmshme të gazetares, Rina Mujku.

Në komunikatën e lëshuar për media, ministria e Albulena Haxhiut ka ikur nga çështja kryesore dhe nuk tha asgjë më shumë se ajo që veç dihej, raporton Klankosova.tv

“Nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24.07.2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.

Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77€  (tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent).

Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent).”, thuhet në njoftimin e sotëm.

Këtë deklaratë e ka thënë edhe vet Haxhiu, në një prononcim për Klan Kosovën.

“32 milionë euro, Ministria e Drejtësisë i ka dhënë për mbrojtjen e personave që po qëndrojnë në Hagë”.

Por, as atë ditë, e as sot, MD nuk ka dhënë detaje për mjetet që i ndan.

Në pritje që mbi 40 ditë është edhe Fondacioni për Mbrojtjen Juridike të Thaçit. Këta i thanë televizionit se kanë vetëm përgjigjen e vitit të kaluar, refuzuese.

Për këtë çështje reagoi sot deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, i cili akuzoi ministren në detyrë dhe Vetëvendosjen.

Behrami tha se partia e Albin Kurtit e sheh Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë mercenarësh, prandaj sipas tij “Për UÇK-në nuk kanë para! Madje as fjalë të mira.“

Kujtojmë se për shkak të financave, edhe mbrojtësi kryesor i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ishte tërhequr nga rasti më i madh i Speciales në Gusht të 2024.

Shpërndaje në

U Kopjua