Live

Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë

16:14 / 03 Dhjetor 2023

Nga Kosova Live

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurit Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokollës për vrasjen e Liridona Ademajt në Sinidoll të Prishtinës me 29 nëntor.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli dyshohet për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje‘, Granit Plava për veprën penale ‘Vrasje e rëndë‘ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve‘ dhe i pandehuri Kushtrim Kokolla për shkak të veprës penale ‘Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë‘.

Sipas njoftimit të gjykatës, Naim Murseli dyshohet t’ia ketë dhënë armën Granit Plavës, ku i njëjti e ka privuar nga jeta duke i dhënë një plumb në qafë tashmë të ndjerës Liridona Ademajn., raporton Gazeta Insajderi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes…”, thuhet në njoftim.

“…ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, vijon njoftimi.

Tre të dyshuarve të dielën i është vendosur masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shpërndaje në

U Kopjua