Aleanca Veriatlantike vazhdon të kërkojë nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023.
Kështu deklaroi një zyrtar i NATO-s, një ditë para fillimit të Samitit të Hagës, transmeton Klankosova.tv.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, deklaroi ai para gazetarëve.
Zyrtari përmendi sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, si dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n dhe qëndron “lart në agjendën” e aleancës.
“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, theksoi ai.
Ai përkujtoi se NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990 dhe se përkushtimi i aleancës “mbetet i fuqishëm” dhe nuk do të lejojë krijimin e “vakumit të sigurisë”.
I njëjti konfirmoi konfirmoi përkrahjen e organizatës më të fortë ushtarake në botë, për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.
“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë”, tha ai.
Ai shtoi se misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e vet në mënyrë të paanshme dhe në çdo moment.
“Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në veri. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit”, deklaroi ai.