Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, dhe mërgatës që të shmangin kalimin përmes Serbisë.
Në një postim në Facebook, kjo ministri ka thënë se me arrestimin e ish policit Arbnor Spahiut, dëshmon se Serbia po vazhdon me praktika të papranueshme dhe destructive.
Tutje thuhet se janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Njoftimi:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Në këto rrethana, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë dhe në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjithë qytetarët që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre.
Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke e ndjekur nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.