Live

”Ndalimi ishte i motivuar politikisht, qasja ka qenë nënçmuese” – Agusholli flet pasi u ndal nga autoritetet serbe

19:16 / 26 Maj 2025

Nga Kosova Live

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar sot nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare, teksa po udhëtonte me familjen e tij. Ai është ndaluar derisa ishte tranzit drejt Sllovenisë. Në një deklaratë për Reporteri.net, Agusholli ka folur rreth ndalimit dhe trajtimit nga autoritetet serbe.

Për rreth 7 orë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, ka qenë në ndalim nga autoritetet serbe. Ai është ndaluar mëngjesin e sotëm në Merdare, derisa po udhëtonte trazit drejt Sllovenisë.

Agusholli ka thënë se nuk i është dhënë asnjë arsye për ndalimin e tij, por beson se ndalimi ishte i motivuar politikisht.“Nuk më është dhënë ndonjë arsye konkrete dhe zyrtare për ndalimin. Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të papritur dhe pa ndonjë shpjegim të qartë. U kuptua që bëhej fjalë për një ndalim të motivuar politikisht, siç fatkeqësisht ndodh shpesh me përfaqësues institucionalë nga Kosova”, ka rrëfyer Agusholli.

Ai ka thënë se ka qëndruar për rreth 3 orë në veturë bashkë me familjen dhe se s’ka pasur të drejtë për të lëvizur. Më pas thotë se është marrë në pyetje për afro katër orë nga zyrtarët serb, në një ambient të veçuar.

Trajtimi i tyre thotë se nuk ka qenë aspak korrekt.

“Nuk ka pasur dhunë fizike, por trajtimi ka qenë aspak korrekt. Qasja e tyre ka qenë nënçmuese, me tension të panevojshëm dhe pyetje të motivuara politikisht. Në asnjë moment nuk jam ndjerë i trajtuar si qytetar që po kalon një kufi për arsye familjare – më shumë ngjante me një tentim për frikësim apo provokim të qëllimshëm”, ka deklaruar Agusholli për Reporteri.net.

Për ndalimin e Agushollit njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJD tha se për rastin janë njoftuar edhe misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe zyra e BE-së në Beograd.

Ministria i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla.

“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

Pas lirimit, Agusholli ka vazhduar rrugën drejt Sllovenisë.

Shpërndaje në

U Kopjua