Në përpjekjen e 52-të dhe të fundit për konstituimin e Kuvendit para skadimit të afatit kushtetues, pritet të marrin pjesë ambasadorët e QUINT-it.
Ambasada Gjermane ka bërë të ditur se ambasadori Jorn Rohde, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, planifikojnë të jenë të pranishëm në seancën që do të mbahet nesër nga ora 11:00 në Kuvend.
Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ndërsa, seanca e 51 ka dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kësaj radhe nuk pati votim fare.
Kjo pasi pati një përplasje mes kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.
Deputetja Ganimete Musliu është afruar te kryesuesi Dehari dhe nuk e ka lejuar ta vazhdojë seancën, pa ia ndezur mikrofonin.
Si rezultat, Dehari tha se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës.
Kurse, 26 korrik skadon afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së martë kishte njoftuar se ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kompetencave nga moskonstituimin e Kuvendit.
Dua t’ju njoftoj, të nderuara media, të nderuar qytetarë, që sot, në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë”, kishte thënë Osmani.