Presidenti Donald Trump nuk po e fsheh më pakënaqësinë ndaj Elon Musk. Dyshja, që dikur kishin një marrëdhënie të afërt, tashmë janë në konflikt të hapur pas largimit të Musk nga administrata e Trump.
Përçarja e tyre vjen në kohën kur Trump ka shtyrë përpara një projektligj të ri – të cilin e ka quajtur “fatura e madhe dhe e bukur” – që përfshin ulje të mëtejshme taksash për qytetarët amerikanë. Musk, nga ana e tij, ka qenë kritik i ashpër ndaj kësaj nisme, e cila tashmë ka kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po shkon drejt Senatit.
Në një intervistë telefonike për NBC, Trump u shpreh qartë se nuk ka ndërmend të pajtohet me miliarderin e Tesla dhe SpaceX. Kur u pyet nëse marrëdhënia e tij me Musk është përfundimisht e mbyllur, ai u përgjigj:
“Do të supozoja që po, po. Jam shumë i zënë me gjëra të tjera.”
Trump shtoi:
“I fitova zgjedhjet me një diferencë të madhe. I kam dhënë shumë favore [Muskit], qysh në administratën time të parë. I kam shpëtuar jetën në mandatin tim të parë. Nuk kam asnjë qëllim të flas me të.”
Por deklaratat nuk u ndalën me kaq. Trump lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë: nëse Musk do të ndihmojë financiarisht fushatat e ardhshme të demokratëve, do të përballet me pasoja.
“Nëse e bën, do të ketë pasoja për këtë,” tha Trump për NBC, pa specifikuar se për çfarë pasojash bëhej fjalë. Kujtojmë se shumë nga kompanitë e Musk kanë kontrata të mëdha me qeverinë federale.
Përplasja mes dy titanëve të politikës dhe teknologjisë pritet të thellohet, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme të mes-mandatit.