Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të hënën, ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Vizita vjen në një moment kritik dhe do të fokusohet në dy tema kryesore: festimin e asaj që Trump e ka quajtur “fitorja e përbashkët kundër Iranit” dhe diskutimin për një armëpushim të mundshëm në Gaza.
Kjo do të jetë hera e tretë këtë vit që dy liderët takohen, në një klimë të tensionuar globale. Trump ka deklaruar më herët se SHBA dhe Izraeli kanë “shkatërruar” kapacitetet bërthamore të Iranit, dhe ka paralajmëruar se nëse Teherani rifillon aktivitetet bërthamore, do të ketë bombardime të reja.
Një javë më parë, Trump njoftoi se Izraeli kishte pranuar një propozim për armëpushim 60-ditor në Gaza. Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti dhe ka marrë një përgjigje “pozitive” edhe nga Hamasi, duke hapur rrugën për negociata më të thelluara për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur 21 muaj.