Në 26-vjetorin e masakrës së Dubravës në Frontal me Arsim Lanin u rikthyen në kujtesë skenat e tmerrshme të asaj periudhe.
Për të rrëfyer në studio ishte i mbijetuari i kësaj masakre, Enver Dugolli.
Ai rikujtoi momentin kur i ndihmonte personave që ishin plagosur aty.
“E sheh një grumbull gjaku aty, nuk e din as ku është i plagosur. Iu afrova dikujt, nga plagët s’mundi as të thotë fjalën e fundit. Kishte njerëz shumë që jepnin ndihmën e parë, duhej edhe ti, pasi kishte shumë njerëz të plagosur e vrarë. Atë moment bijnë të gjitha edhe emocionet edhe trishtimi edhe gjithçka tjetër, mundohesh që sado pak të ia lehtësosh dhimbjen në momentet e fundit të jetës së tij, por mbetet diçka që kurr s’kemi me mujt me ditë, a u kemi lehtësu apo jo”, tha Dugolli.
Masakrën e Dubravës të kryer nga okupuesi serb, e quajti gjenocid të pakontestueshëm.
“Gjenocid i pakontestueshëm dhe i dëshmuar. Të gjithë të burgosurit serb që ishin në burgun e Dubravës i kanë tërheq, kemi mbetë vetëm ne shqiptarët. Ata me plan kanë dashur të na heqin qafe neve si shqiptar, jo vetëm politik por edhe ata ordinerë, vetëm se jemi shqiptar. Nuk matet me numër, por me qëllim, qëllimi ishte për me shkatërru një grup etnik”, u shpreh Dugolli.
Ai ndër tjerash rrëfeu se gjatë gjithë kohës ishte përpjekur ta bind veten e tij se nuk do të vritej brenda në atë burg.