Live

“Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK”-Lladrovci i ashpër ndaj kundërshtarëve të tij brenda partisë

18:41 / 24 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe njëherësh udhëheqës i degës së PDK-së në këtë komunë, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në parti rreth përzgjedhjes së kandidatit për kryetar komune për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në një postim publik, Lladrovci ka kritikuar mënyrën e organizimit të procesit, duke ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e përzgjedhjes së kandidatit nga 43 anëtarët e Kryesisë së PDK-së, pa u përfshirë dega lokale e partisë.

“Pyetja që shtrohet është: A po votojnë për kryetarin e qytetarëve të Drenasit, apo për kryetarin e pëlqyer të Kryesisë së Partisë?”, ka shkruar ai.

Lladrovci ka theksuar se kontestimi i kandidaturës së tij nuk është i rastësishëm dhe vjen nga individë që, sipas tij, kanë dëmtuar partinë në zgjedhjet e vitit 2021 dhe që tashmë kanë krijuar subjekte të tjera politike.

“Unë jam gati për garë. Kam dëshmuar sukses me qeverisje lokale, me performancë të lartë dhe transparencë. Qytetarët e Drenasit do ta japin përgjigjen më të mirë”, ka shtuar ai.

Lladrovci ka kritikuar edhe ndikimin nga jashtë degës, duke i quajtur disa figura si “bedelë të vitit 2021 dhe 2025”, që po përpiqen të diktojnë përzgjedhjen e kandidatit për Drenasin.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Kryesia e PDK-së që të votojë me objektivitet dhe të mos bëhet pjesë e, siç tha ai, “një padrejtësie ndaj kandidatit kampion të performancës komunale”.

Në fund, Lladrovci përsëriti përkushtimin e tij ndaj PDK-së: “Dje, sot, nesër, PDK. Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes!”

Postimi i plotë:

Dega e PDK-së në Drenas, vazhdimisht para nominimeve për kryetar komune, por edhe për zgjedhjet nacionale, është përballur me dyshime e hile të natyrave të ndryshme, rreth kandidatit për kryetar, përbërjes së asamblesë, apo kandidatëve për deputetë.
Kësaj here, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sfida ka marrë përmasa të një dukurie që më herët nuk ka ndodhur, zgjedhjen e kandidatit për kryetar të komunës nga anëtarët e Kryesisë së PDK.
Pyetja e parë që shtrohet, sa e njohin degën e PDK-së dhe punën në komunën e Drenasit 43 anëtarët e Kryesisë?
Cili është kriteri për të votuar, dhe më e rëndësishmja, a po votojnë për kryetarin e qytetarëve të Drenasit apo për Kryetarin e pëlqyer të Kryesisë së Partisë!
Përkundër se dega e PDK-së në Drenas, mbase e vetmja shprehu gatishmëri të zhvillonte zgjedhjet e brendshme, pas vitit 2021, Kryesia vendosi të mos ketë zgjedhje në asnjë degë, as në ato që ishin me kryesi të emëruara.
Në këto rrethana u kontestua legjitimiteti i kryetarit të degës, legjitimitet i kontestuar që nga viti 2021, nga ata që u larguan nga PDK dhe krijuan subjekt tjetër politik. Është kontestim nga ata që e shanë partinë dhe udhëheqësit e saj, punuan kundër PDK-së me mbi 18 profile të rreme, u kontestua nga ata që shkaktuan dëme milionëshe me ndikim në vota negative për projekte zhvillimore. Ky kontestim u legjitimua nga Selia qendrore.
Sigurisht, as për Kryetarin dhe Kryesinë e PDK-së nuk është i lehtë presioni që vije nga ata që e themeluan subjektin opozitar në Drenas më 2021 dhe tash përzgjodhën bedelin e ri “për projekt strategjik”.
Kontestimi i kandidaturës time, sipas statutit, nuk ndodhi rastësisht. Ata që i humbën zgjedhjet më 2021, nuk dëshironin proces normal të zgjedhjeve të brendshme. Si i emëruar, në krye të degës, për herë të parë po aplikohet kandidim i dalë nga “votimi i fshehtë”.

Pas dështimit në zgjedhjet nacionale, kundër kandidati i deklaruar, në publik me ndjekësit e vet, kishte paralajmëruar garën për kryetar të Drenasit, duke theksuar se “do të garonte me apo pa miratimin e partisë”. Unë jam gati për garë.
Votimi “i fshehtë” në Kryesi të PDK-së po afron. E kuptoj se më shumë se për kandidaturën time, bëhet fjalë edhe për integritetin anëtarëve të kryesisë së PDK-së të cilët nuk duan të ballafaqohen me shefin e bedelëve. Disiplinën partiake, kam dëshmuar se e çmoj më shumë se anëtarët e emëruar të Kryesisë.
Si themelues i PDK-së, me një biografi që fillon në vitet ’80, për disa anëtarë të Kryesisë së PDK-së mund të duket film, ndërsa për kryetarët e komunave të PDK-së brenda 7 vjetëve të garës së performancës komunale jam i paarritshëm.
Sukseset e mia janë vlerësuar nga faktorë vendorë e ndërkombëtarë, i dëshmuar me punë dhe performancë të shkëlqyer, në zbatim të ligjit dhe transparencës. Ky sukses i atribuohet zyrtarëve komunalë, Kabinetit por edhe qytetarëve kampionë të Drenasit.
Nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së pres objektivitet, t’i thonë jo dëshirës së keqbërësve dhe bedelëve të vitit 2021 dhe 2025, të cilët tashmë janë bashkuar kundër qeverisjes së mirë.
Konsideroj se në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së, ku pritet të votohet për kandidatët për disa kryetarë të komunave, anëtarët nuk duhet të jenë të pranishëm. Ashtu, ata nuk do të bëhen pjesë e padrejtësisë ndaj kryetarit kampion të performancës.
Qeverisja lokale matet me 119 treguesit e performancës, tregues përcaktojnë komunën kampion. Anëtarët e Kryesisë lë të informohen nga komunat nga vien përse nuk i kanë komunat e veta kampion të performancës e pastaj lë të marrin vendim për kampionin e performancës për gjashtë herë.
Drenasi me qytetarët e saj, do ta japin përgjigje për situatën, pres të jetë përgjigje e fuqishme për të mos lejuar pushtet të tretë e as qeverisje të bedelëve.
Po e përsëris: Dje, sot, nesër, PDK. Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes!/

Shpërndaje në

U Kopjua