Konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk u bë as në tentimin e 25-të.
As sot Komisioni për “Votimin e fshehtë” të propozuar nga Avni Dehari, nuk mori “aminin” nga shumica e deputetëve të kësaj legjislature.
Në fakt, i mori veç 51 vota.
Pasi dështoi të zgjidhej edhe këtë herë, Albulena Haxhiu, e cila është e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, hodhi akuza në drejtim të ish opozitës.
Kjo veç pse ata nuk po ia japin votën asaj, transmeton Klankosova.tv
“Opozita me një inat irracional ka vendosur që të mos marrë pjesë në votim”, tha Haxhiu pas seancës.
Ajo madje tha se po çuditet pse po shihet si figurë përçarëse nga partitë e tjera.
”Nuk e di pse e kundërshtojnë kandidimin tim, më quajnë përçarëse dhe konfliktuoze”, theksoi ajo.
Rreth kësaj situate ka reaguar edhe Vlora Çitaku nga PDK.
Ajo para mediave, i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj, të reflektojnë mbi ngërçin politik të shkaktuar.
”Kuvendi dhe institucionet kanë mbetur të bllokuara, po mbahen peng si shkak i kryeneçësisë së një personi”.
”Kosova është më e madhe sesa një emër i përveçëm”, shtoi Çitaku.
Kurse, para nisjes së seancës, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, iu përgjigj akuzave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, cili e quajti opozitën patriarkale, duke e cilësuar se ka probleme me përfaqësimin e gruas.
Haziri përmendi dy raste specifike, për të cilat u shpreh se LDK-ja, ka gjetur gjithmonë zgjidhjen ndryshe nga ajo se çfarë pretendon Albin Kurti, transmeton klankosova.tv.
”Ky vend ka dhënë emra të fortë të grave në politikë. Zonjave të zgjedhura që kanë fitu dhe që kanë udhëheqë. Për rastin specifik, LDK ka votu dy gra presidente, por sipas marrëveshjes politike. Dhe në të dy rastet nuk është mbajtë fjala e LDK-së. Edhe në rastin e parë tek zonja Jahjaga, edhe në rastin e zonjës Osmani. Nuk e di ku mundet me gjetë.. e me ardhë në këtë kohë e me thanë se partitë politike në kuvend, kanë probleme me përfaqësimin e gruas, është shumë keq, dhe shumë larg ka shku me këtë punë”.
Partitë janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, për të parë nëse po veprohet gabim me “votimin e fshehtë” të propozuar nga LVV.
Seanca e radhës do të mbahet më 4 qershor me fillim nga ora 11:00.
Mbetet të shihet nëse do të jetë situata e njëjtë, apo ndonjë prej partive do të lëvizë nga pozicioni aktual, në rast edhe të ndonjë marrëveshje politike.