Live

Osmani arrin në Zvicër për vizitën shtetërore

12:05 / 21 Maj 2025

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Zvicër për vizitën e saj shtetërore, me ftesë të Presidentes zvicerane, Karin Keller-Sutter. Kjo vizitë shënon një moment historik, pasi është hera e parë që një kreu i shtetit të Kosovës realizon një vizitë shtetërore në këtë shtet.

Lidhur me këtë vizitë, Presidentja Osmani ka ndarë edhe disa fotografi nga momenti i arritjes së saj në Zvicër.

Sipas agjendës zyrtare, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me Presidenten zvicerane dhe me anëtarët e Këshillit Federal, si dhe do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Pas këtyre takimeve, dy presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

“Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Vizita do të vazhdojë edhe gjatë ditës së dytë, ku Presidentja Osmani dhe homologja e saj zvicerane do të vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universitetit Saint Gallen.

Në fund të vizitës, Osmani do të qëndrojë në Gjenevë, ku do të takohet me mërgatën shqiptare që jeton dhe vepron në Zvicër.

Shpërndaje në

U Kopjua