Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,theksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar dhe thelluar partneritetin strategjik me administratën e re amerikane, duke u bazuar në vlerat dhe interesat e përbashkëta.
Këtë Osmani e tha teksa ka pritur sot në takim Anu Prattipati, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Gjatë takimit, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e reformave demokratike.
Një ndër temat kryesore të bisedës ishte pjesëmarrja e delegacionit presidencial të Kosovës në ceremonitë inauguruese të Presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Sipas njoftimit, zëvendësambasadorja Prattipati shprehu mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe vlerësoi përpjekjet e institucioneve të vendit në forcimin e demokracisë dhe sigurisë.
“Në përfundim, të dyja palët riafirmuan rëndësinë e marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke synuar avancimin e tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, u tha në njoftimin e Presidencës.