Në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i mbajtur në Prishtinë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ndau një nga dekoratat më të larta të shtetit, Medaljen Presidenciale të Nderit për nënat e Srebrenicës, si simbol i rezistencës, dinjitetit dhe guximit përballë gjenocidit dhe padrejtësisë historike.
Ceremonia mblodhi personalitete të larta nga vendi dhe rajoni, përfshirë ministrin e Jashtëm të Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, i cili në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë universale të luftës së nënave të Srebrenicës për drejtësi.
Ai i quajti këto gra një “busull morale për të gjithë ne” dhe një simbol global të përballjes me të kaluarën, jo me urrejtje, por me dinjitet dhe të vërtetë.
“Si ministër i Jashtëm i Bosnjë dhe Hercegovinës, sot ndihem thellësisht i nderuar që nënat e Srebrenicës janë fitueset e Çmimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për këtë vit. Këto gra të guximshme kanë përjetuar dhimbjen më të thellë njerëzore, por e kanë shndërruar pikëllimin e tyre në një forcë të fuqishme për drejtësi, kujtesë dhe paqe. Ato kurrë nuk kanë kërkuar hakmarrje, vetëm të vërtetën. Zërat e tyre kanë kaluar kufijtë, duke i kujtuar botës se paqja nuk është e mundur pa drejtësi. Dhe kujtesa është një formë rezistence kundër mohimit. Trashëgimia e tyre nuk është vetëm boshnjake, ajo është universale. Ajo është një busull morale për të gjithë ne”.
“Nënat e Srebrenicës janë bërë një simbol global i dinjitetit dhe drejtësisë pas një prej kapitujve më të errët të Evropës. Përballë një humbjeje të paimagjinueshme, ato refuzojnë të heshtin. Në vend të urrejtjes, ato zgjedhin dinjitetin. Në vend të hakmarrjes, ato zgjedhin të vërtetën. Guximi i tyre vazhdon të ekspozojë mohimin, të kërkojë llogaridhënie dhe të frymëzojë brezat që të qëndrojnë kundër gjenocidit dhe padrejtësisë. Ato nuk janë vetëm zëri i Srebrenicës, ato janë ndërgjegjja e mbarë botës”, tha ai.
Presidentja Osmani, e përshkroi masakrën e Srebrenicës si “një plagë të hapur në ndërgjegjen e botës” dhe solli në vëmendje paralelen e dhimbjes që lidh popujt e Kosovës dhe Bosnjës, të dy të shënjestruar nga e njëjta politikë gjenocidale.
Duke e cilësuar guximin e nënave të Srebrenicës si një akt që i tregoi botës se “pa drejtësi nuk ka paqe”, ajo njoftoi se në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, kishte vendosur t’u jepte atyre Medaljen Presidenciale të Nderit, jo vetëm si akt nderimi, por si një thirrje kundër harresës dhe mohimit.
“Srebrenica është një plagë e hapur në ndërgjegjen e botës. Është simboli i një tragjedie që tronditi ndërgjegjen globale, por që ende, ende nuk ka marrë drejtësinë që meriton. Aty, më shumë se 8,000 burra dhe djem u masakruan pa mëshirë nga forcat gjenocidale për vetëm disa ditë dhe përpara syve të botës. Ndërkohë, gratë, nënat, motrat dhe vajzat mbetën me një dhimbje të pambarimtë”, tha ajo.
“Ne në Kosovë e ndiejmë thellë pikëllimin tuaj, sepse edhe ne përjetuam të njëjtin gjenocid të kryer nga i njëjti agresor. Lista e masakrave është e gjatë dhe e dhimbshme. Dhe edhe tani, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, mijëra njerëz nga Kosova, nga Niadi i Srebrenicës dhe nga i gjithë rajoni ynë vazhdojnë të jenë të zhdukur me forcë. Nuk ka varre për nënat që nuk ishin aty, nuk ka përgjigje për familjet e tyre. Vetëm heshtje. Një heshtje që dhemb çdo ditë”.
Sot, në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dua të shpreh mirënjohjen tonë më të thellë. Ju jeni një frymëzim për gjeneratat e ardhshme. Ju jeni një simbol i fuqisë që buron nga dashuria e një nëne. Ju jeni një shembull se dhimbja mund të bëhet forcë, dhe humbja mund të shndërrohet në përkushtim për një botë më të mirë”.
“Kjo është arsyeja pse, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që nënat e Srebrenicës të marrin Medaljen Presidenciale të Nderit”, tha presidentja Osmani.
Përfaqësuesja e nënave të Srebrenicës, Hada Hoxhiq, gjatë pranimit të medaljes, shprehu falënderime dhe përkujtoi dhimbjen e pashlyeshme të asaj tragjedie.

“Lloji i njerëzve që janë këtu, si të rinj e të reja, ashtu edhe jo të rinj, miqtë tanë të Kosovës dhe të gjithë ata që ndjejnë me nënat e Srebrenicës, me nënat që përjetuan gjenocidin në Srebrenicë, që e kishim adresën në Bosnjë e Hercegovinë nga Serbia, nga tradhtarët vendas që iu bashkuan politikës serbe të Millosheviqit dhe të tjerëve të dënuar me dënime të gjata. Ata deshën që ne të zhdukeshim. Na vranë djemtë dhe burrat, vëllezërit, të afërmit dhe fqinjët nga qyteti. Na lanë ne nënat, motrat, gratë, të veja, menduam se do të shkrinim nga trishtimi dhe nga dhimbja, por ne u përqendruam. Luftuam. E përhapëm të vërtetën në të gjithë botën. Luftuam për të gjitha këto merita që ministri ynë Konakoviq i përmendi këtu. Luftuam për rezolutat dhe për njerëzinë e thjeshtë dhe për kombet në fund, që është shumë e rëndësishme, që gjenocidi të mbahet mend dhe të mos harrohet. Që të ndëshkohet ai që e mohon. Kjo është e vërteta. Ne kemi luftuar. Edhe nëse kam mbetur pa djalë, pa vëllezër, pa të afërm, pa qytetin tim, pa popullin tim, kam krenarinë dhe fuqinë nga vetja dhe dinjitetin njerëzor për të kërkuar drejtësi dhe paqe, të drejtën e çdo njeriu për shtetin e vet, për dinjitetin, për paqe, për jetë, për liri, për të shprehur fenë dhe çfarëdo që trashëgohet nga lindja dhe nga fisi”, tha ajo. /eo
