Pas vizitës së saj në Pallatin Federal të Zvicrës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Zvicra tashmë është një nga partnerët më të mëdhenj eksportues të Kosovës.
Ajo u shpreh se Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta si lirinë, demokracinë dhe solidaritetin ndërmjet njerëzve.
“Zvicra tashmë është një nga partnerët më të mëdhenj eksportues të Kosovës, produktet tona tashmë janë në tregun zviceran, produktet e Zvicrës një kohë të gjatë kanë qenë dhe po shtohen në tregun e Kosovës”.
“Diskutuam edhe për sektorët kyç në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë inovacionin dhe teknologjinë e informacionit, energjinë e shumë të tjera. Besoj që sidomos në sektorin e IT-së, pjesëtarët e mërgatës sonë që jetojnë në Zvicër dhe të cilët kanë filluar me vite të investojnë në Kosovë, duke hapur kompani dhe duke krijuar vende të reja të punës, po jepin një kontribut në këtë rritje ekonomike”.
“Dua ta ftojë komunitetin e biznesit dhe investitorët zviceran, që të vazhdojnë ta shohin Kosovën si një partner të besueshëm dhe një vend me potencial të madh, vend që ka popullatën më të re në Evropë, e aftë dhe e lidhur ngushtë me teknologjinë e informacionit dhe me trendet më të vyeshme botëtore”
“Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta, lirinë, demokracinë dhe solidaritetin ndërmjet njerëzve. Këto nuk janë vetëm fjalë, këto janë parime që na udhëheqin dhe që duhet t’i mbrojmë për ditë, veçanërisht në kohë sfidash globale. Këto vlera kanë qenë themeli i partneritet tonë dhe do të mbeten busulla jonë orientuese edhe për të ardhmen”, u shpreh ajo.
Osmani gjithashtu tha se Kosova ka nevojë për miq të fortë, në përpjekjet tona për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, përcjell Klankosova.tv.
“Kosova ka nevojë për miq të fortë, në përpjekjet tona për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, të cilat janë në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë. Kjo vizitë është një dëshmi e fuqishme se po ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi mes të kaluarës dhe të ardhmes, mes shpresës dhe mundësisë”.
“Mbi këto ura po ndërtojmë një partneritet afatgjatë, në mes Kosovës dhe Zvicrës. Drejt këtij qëllimi, përpjekjet tona nuk do të ndalen asnjëherë”, u shpreh tutje Osmani.