Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të stafit të kongresit amerikan, organizuar nga Atlantic Council.
Sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, Osmani diskutoi me delegacionin e stafit të kongresit amerikan për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Presidentja shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane nga Kongresi Amerikan, duke theksuar rolin jetik të dy dhomave të Kongresit për paqen, sigurinë dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas njoftimit thuhet se e para e vendit theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, për paqen, lirinë dhe shtetndërtimin.
“Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe si dhe për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke e cilësuar integrimin euro-atlantik si një hap kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në rajon si dhe në të gjithë kontinentin evropian”, thuhet tutje në njoftim.