Live

Osmani takohet me ambasadorin e ri të OSBE-së në Kosovë

11:24 / 09 Maj 2025

Nga Kosova Live

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, të cilit i uroi mirëseardhje të përzemërt dhe suksese në mandatin e tij të ri.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm që OSBE-ja ka ndërtuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Në një postim në Facebook, ajo theksoi rolin kyç që ky mision ka pasur në forcimin e demokracisë, promovimin e qeverisjes së mirë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vend.

Presidentja ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në, veçanërisht në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Më tej, Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe përkrahjen e grupeve të margjinalizuara.

Shpërndaje në

U Kopjua