Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe thellimin e mëtejmë të raporteve bilaterale me Turqinë.
Gjatë takimit, Presidenca njofton se Osmani “vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, duke potencuar se Turqia mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës”
“Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes turke ndaj Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, njohje të mëtejmë dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e interesave të përbashkëta të të dyja shteteve, duke përforcuar lidhjet miqësore dhe bashkëpunimin afatgjatë”.