Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për rolin thelbësor në procesin e shtetndërtimit, transmeton klankosova.tv.
”Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit, ndaj presidentja Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme në fushën e mbrojtjes”, thuhet në komunikatë.
Tutje, presidentja Osmani shtroi nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO.
Presidentja Osmani, po ashtu falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për adresimin e sfidave dhe avancimin e aspiratave të përbashkëta, duke shfaqur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.