Live

OVL UÇK: Komuniteti ndërkombëtar mos të bie pre e narrativës së shtrembëruar të Speciales

15:30 / 16 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Organizata e Veteranëve, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së kanë bërë të ditur se e kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.

Në një njoftim të lëshuar për media thuhet se ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë.

“Rrëzimi i mocionit është mesazh negativ për drejtësinë. Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht. Qëndresa jonë nuk do të ndalet”.

“UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, këto organizata i bëjnë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e “një narrative të shtrembëruar”.

“Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë”.

“Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në

U Kopjua