Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së, ka mirëpritur qëndrimet e Avokatit të Popullit, Naim Qelajt lidhur me gjykimin e ish krerëve të UÇK’së, nga Gjykata Speciale.
Në njoftim nga kjo organizatë kanë thënë se është e papranueshme që qytetarëve të Kosovës po iu mohohet gjykimi i drejtë.
Tutje, OVL-UÇK ka bërë thirrje nga institucionet e Kosovës dhe ndërkombëtarët që mos të qëndrojnë indiferent ndaj shkeljeve të të drejtave të ish luftëtarëve të UÇK-së.
REAGIM
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për qëndrimet e Avokatit të Popullit, z. Naim Qelaj, të bëra publike lidhur me shqetësimet serioze për trajtimin e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Këto shqetësime, të cilat përfshijnë:
Zvarritjen e tejzgjatur të paraburgimit,
Mungesën e transparencës në procedura,
Pamundësinë për të vizituar të gjithë të burgosurit,
si dhe mospërfilljen e institucioneve vendore të sigurisë,
janë dëshmi e qasjes selektive dhe të njëanshme që kjo gjykatë ka treguar prej themelimit të saj.
Është e papranueshme që qytetarët e Kosovës të mbahen për vite të tëra në paraburgim, duke u mohuar mundësinë për gjykim të drejtë, të shpejtë dhe pranë vendit të tyre. Ky trajtim, që shpërfill edhe prezumimin e pafajësisë, është jo vetëm i padrejtë, por edhe i dëmshëm për të ardhmen demokratike dhe sovrane të vendit tonë.
Organizata jonë vlerëson përkushtimin e Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe e fton atë që të vazhdojë me vendosmëri monitorimin dhe adresimin e shkeljeve që ndodhin ndaj të akuzuarve nga Kosova.
Po ashtu, OVL-UÇK u bën thirrje institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe opinionit të gjerë publik që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj shkeljes së të drejtave të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me dinjitet kanë shërbyer vendit dhe janë dorëzuar vullnetarisht, duke treguar respekt për drejtësinë e cila, për fat të keq, po i nëpërkëmb.
Liria dhe drejtësia janë të pandashme,dhe nuk mund të ketë drejtësi pa dinjitet dhe barazi.