Pak orë pas dështimit të radhës për të konstituar Kuvendin, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, i cili vazhdon ta ushtrojë edhe detyrën e shefit të qeverisë të marrë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ka bërë një përmbledhje për arrestimet që kanë ndodhur në dy vitet e fundit të disa personave të cilët janë të dyshuar për bashkëpunim me inteligjencën serbe.
Sipas Kurtit, ky është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga AKI-ja, Policia dhe Prokuroria.
“Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”, ka shkruar deputeti Kurti.
Kurti ka ftuar qytetarët që “të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi”.