Live

Parashikimi i Shenoll Muharremit: VV bie në 38%, do ta ketë të vështirë ta krijojë qeverinë e re

14:11 / 23 Janar 2025

Nga Kosova Live

Analisti Shenoll Muharremi ka parashikuar se Lëvizja Vetëvendosje do ta kryesojë garën në zgjedhjet e 9 shkurtit, por do ta ketë të vështirë të krijojë qeverinë e re.

Kjo, ngase sipas Shenollit, partia në pushtet nuk pritet të marrë më shumë se 38% të votave. Për ta mbajtur pushtetin, ai thotë se LVV-së i duhen minimum 46% të votave dhe 50 deputetë për të formuar qeverinë në koalicion me një grup të pakicave.

Por Shenolli potencon se duke marrë parasysh edhe gjuhën polarizuese dhe armiqësore të fushatës ndaj partive të tjera, Kurti do ta ketë tepër të vështirë ta formojë qeverinë e re.

“Megjithatë, menaxhmenti i partisë së tyre po përdor strategji që me siguri do ta përjashtojnë LVV-në nga mundësia për të formuar qeverinë, edhe pse do t’i fitojë votat. I fiton votat, del e para… por e humb pushtetin dhe ndikimin. Ky është rezultati eventual i kësaj strategjie elektorale të LVV-së. Ky nuk është opsioni më i mirë që ka në dispozicon Kosova. Demokracia kërkon bashkëpunim, e kur je politikë duhet shpesh të bësh edhe kompromise kur jo gjithmonë idea jo gjithmonë fiton ideja jote, por rëndësi ka e mira e përgjithshme”, shkruan ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

LVV: Fiton Votat, Kryeson Garën, por Humb Pushtetin?

Strategjia e Albin Kurtit po duket sikur një rrugëtim drejt opozitës. Dje e kam testuar se çfarë do të nënkuptonte nëse LVV tkurret nga niveli i vitit 2021, por rritet nga baza e tyre, apo realiteti i zgjedhjeve të 2019-ës.

Edhe ky skenar sugjeron dhe konfirmon se LVV po shkon potencialisht drejt nivelit në rajonin e 300 mijë votave në zgjedhjet e 9 shkurtit. Graviteti po e tërheq LVV-në drejt realitetit dhe bazës së saj, pasi viti 2021 ishte diçka e jashtëzakonshme, jo reale, e paqëndrueshme.
Një mesatare mes 2021 dhe 2019, apo një rezultat që e korrigjon nga zgjedhjet e fundit, por ende pasqyron dominimin dhe rritjen e tyre nga viti 2019, nënkupton që LVV do të ketë rreth 330 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Me skenarin e 830 mijë votave dalje, kjo nënkupton rreth 38% të votave dhe 43 vende në Kuvendin e Kosovës. LVV-së i duhen minimum 46% të votave dhe 50 deputet për të formuar qeverinë në koalicion me një grup të pakicave.

Në këtë skenar, duke marrë parasysh gjuhën dhe stilin elektoral polarizues dhe armiqësor kundër të tjerëve, LVV dhe Albin Kurti do ta kenë tepër të vështirë të formojnë qeverinë e re. Ky rezultat, kur integrohen pozicionet e skajshme që nuk lejojnë shumë hapësirë për kompromise me të tjerët, e dërgon LVV-në në opozitë.

A është kjo një strategji e zgjuar nga LVV? A është kjo diçka që Kurti dëshiron? Nëse LVV dhe Albin Kurti e kanë ndërtuar strategjinë elektorale ashtu siç e paraqesin “suksesin” ekonomik të Kosovës vitet e fundit, ky mund të jetë një keqkuptim dhe një strategji e gabuar nga kampi i LVV-së. Fiton votat, por e humbas pushtetin.
Kosova ka nevojë jo për polarizime të thella, por për parti të matura, të cilat në momente të caktuara bëjnë kompromise për të mirën e përbashkët. Në këtë kontekst, LVV, sipas këtij skenari të rezultateve, e meriton të jetë në qeveri si partia kryesore, por duhet të bashkëpunojë me një parti tjetër.

Megjithatë, menaxhmenti i partisë së tyre po përdor strategji që me siguri do ta përjashtojnë LVV-në nga mundësia për të formuar qeverinë, edhe pse do t’i fitojë votat. I fiton votat, del e para… por e humb pushtetin dhe ndikimin. Ky është rezultati eventual i kësaj strategjie elektorale të LVV-së. Ky nuk është opcioni më i mirë që ka në dispozicon Kosova. Demokracia kërkon bashkëpunim, e kur je politikë duhet shpesh të bësh edhe kompromise kur jo gjithmonë idea jo gjithmonë fiton ideja jote, por rëndësi ka e mira e përgjithshme.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...