Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka udhëhequr delegacionin që mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV në Vatikan, ku ishin të pranishëm liderë dhe personalitete të shumta nga mbarë bota.
Gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, Begaj zhvilloi një takim me Papën, të cilit i përcolli urimet më të përzemërta për zgjedhjen si At i Shenjtë dhe udhëheqës i Kishës Katolike Romake.
Në këtë takim, i pari i shtetit shqiptar, e përgëzoi atë për misionin e tij në promovimin e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut mes popujve, në një botë të sfiduar nga konflikte dhe pasiguri. Ai vlerësoi udhëheqjen shpirtërore të Atit të Shenjtë si një zë që frymëzon shpresë, dhembshuri dhe unitet mes njerëzve.
“Le të frymëzohemi nga misioni i Papa Leoni XIV për paqen dhe ndërtimin e urave të dialogut për të përballuar bashkë sfidat dhe pasiguritë. Besoj se Papa Leoni XIV do të sjellë paqe, harmoni dhe unitet në botë”, deklaroi Begaj.
Ai theksoi se Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti dhe harmonia mes besimeve janë vlera të rrënjosura në shoqëri dhe trashëgimi e çmuar ndër breza.
“Shqipëria pret me padurim të vazhdojë marrëdhënien e ngrohtë e të sinqertë me Vatikanin”, shtoi ai.
Në këtë vizitë zyrtare, presidenti i Shqipërisë ishte i shoqëruar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.