Live

“Pastrimi” thirrje qytetarëve të paguajnë faturat e mbeturinave: Pezullimi i ndryshimit të rregullores s’bëhet me vendim personal të Përparim Ramës

10:40 / 06 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

KRM “Pastrimi” ka dal me reagim pasi komuna e Prishtinës dje bëri thirrje që të mos paguhen më faturat për mbeturina.

“Pastrimi” në komunikatën për media u kanë bërë thirrje qytetarëve të paguajnë faturat e mbeturinave.

“Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama.”, u tha ndër të tjera në reagimin e “Pastrimit”.

REAGIMI I PLOTË I KRM “PASTRIMIT:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

KRM “Pastrimi” sh.a. u bën thirrje qytetarëve të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat e saj zyrtare

KRM “Pastrimi” sh.a. rikujton të gjithë qytetarët e Prishtinës se, në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi Komunal, faturimi dhe pagesa për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave duhet të kryhet drejtpërdrejt në pikat zyrtare të “Pastrimit”. Ky vendim është në fuqi dhe mbetet plotësisht i zbatueshëm.

Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama. Një rekomandim i Zyrës Ligjore të Komunës nuk ka kompetencë ekzekutive mbi vendimet e Kuvendit Komunal, prandaj çdo veprim në kundërshtim me këtë rregullore është i paligjshëm.

Apelojmë te qytetarët të mos bien pre e keqinformimit dhe të kryejnë pagesat e tyre vetëm në “Pastrimi” sh.a.. Pagesa e faturave është thelbësore për përmirësimin e shërbimit, garantimin e pagave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për të gjithë.

Mos lejoni që keqmenaxhimi dhe interesat financiare të cenojnë cilësinë e shërbimit publik! Paguani faturën tuaj në “Pastrimi” dhe kontribuoni në një Prishtinë më të pastër dhe më të rregulluar!

KRM “Pastrimi” sh.a.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...