Deputeti i LVV-së, ministër në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, tha se ka diskutime me Nismën, por nuk specifikoi nëse ka ndonjë marrëveshje.
Ai u shpreh optimist se kjo javë mund të sjellë kuvend dhe qeveri të re.
“E di që ka diskutime të vazhdueshme. Dua të besoj, çdo herë vijë me qëllimin pozitiv dhe dua të jem optimist se kjo javë mund të sjellë përfundimisht një situatë të re ku ne do të kemi kuvend dhe qeveri të re”, tha Peci në hyrje të Kuvendit, duke mos specifikuar nëse ka marrëveshje me Nismën.
Më tej, ai tha se oferta e Kurtit “për Nismën ka qenë bukur gjeneroze në mënyrë që ata të marrin pozicione të rëndësishme për qeverinë e ardhshme”.
“Bëhet fjalë për disa pozicione, por më mirë këtë e qartëson kryeministri ose Zoti Limaj”, tha Peci.
Duke folur për kërkesën që presidentja Vjosa Osmani e ka dërguar në Kushtetuese, deputeti i LVV-së tha: “Presidentja i është drejtuar Kushtetueses për të sqaruar potencialisht, me sa e kuptova, për të parë mundësinë e një mase të përkohshme rreth afatit të përcaktuar në aktvendimin e fundit të Kushtetueses për 30 ditë, dhe unë s’kam arritur ta kuptoj se pse ka dalë me një vlerësim të tillë për shkak se në afatin kohor kur është publikuar vendimi, ne veçse e kemi kaluar atë afat”.
“Presidentja i ka dhënë një shans duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese që e ka për të korrektuar një pikë të tillë të gjykatës kushtetuese. Kjo sepse ajo pikë nuk është se i ka ndihmuar” situatës, tha Peci.
Sipas tij, nuk është përcaktuar se çfarë mund të ndodhë pas atij afati 30 ditor.