Live

Përleshje mes dy shtetasve turq në Prishtinë, konflikti dyshohet se nisi për borxhe (EMRAT)

08:30 / 02 Maj 2025

Nga Kosova Live

Jo rrallëherë ndodhin raste të mosmarrëveshjeve që përfundojnë në përleshje fizike në rrugë në vendin tonë. Një situatë e tillë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet, ku dy shtetas turq janë përfshirë në një përplasje të dhunshme në ambientet e hotelit “Nartel” në Prishtinë.

Burime të Gazetës Kosovalive bëjnë me dije se rreth orës 19:00 është raportuar incidenti, pas të cilit në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë policore.

Kosovalive mëson ekskluzivisht se të përfshirët në këtë përleshje janë Erol Sunar, rreth 57-vjeçar, dhe Aytekin Sismek, rreth 53-vjeçar, të cilët pas përplasjes kanë marrë tretman mjekësor për shkak të lëndimeve të pësuara, e më pas janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

Sipas informatave të para, përplasja dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje për borxhe, ndërsa të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Sulm”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua