Përplasja mes Presidentes Vjosa Osmani me Qeverinë Kurti ka shkuar në nivel tjetër. Edhe këtë herë me ndihmën e zyrtarëve të partisë “Guxo”, që ishte themeluar nga vetë Osmani. Qeveria ia ka hequr Osmanit kompetencat nga Plani i Reagimit Kombëtar, për t’ia kaluar vetes. Në krye të këtij plani ka qenë zyrtari i kësaj partie, Blerim Gashani, shkruan Reporteri.net.
Kryesuesi i Grupit Punues për Planin e Reagimit Kombëtar, njëherit zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ia ka hequr Presidentes Vjosa Osmani kompetencat nga Plani i Reagimit Kombëtar, që kanë qenë në planet paraprake, por edhe që i takojnë sipas Kushtetutës, e ia ka kaluar të njëjtat Qeverisë.
Në Planin e Reagimit Kombëtar të miratuar në vitin 2010 e që ka qenë në fuqi deri tani, ky Këshill ishte përgjegjës për koordinimin e politikavedhe strategjive ndër institucionale lidhur me menaxhimin e incidenteve, siç urdhërohet nga Presidentja.
“Këshilli i Sigurisë së Kosovës është përgjegjës për koordinimin e politikave dhe strategjive ndër-institucionale lidhur me menaxhimin e incidenteve vendore dhe ndërkombëtare, përkatësisht, siç urdhërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës”, parashihej në planin paraprak.
Ky version është rishikuar e tani i është hequr komplet pjesa ku parashihen kompetencat e Osmanit, pra pjesa “siç urdhërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës “dhe është zëvendësuar me pjesën që këto kompetenca i kalojnë Qeverisë së Kosovës.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se tentative për t’i larguar të gjitha kompetencat e Presidentes në fushën e sigurisë dhe inteligjencës kishte pasur edhe disa herë të tjera, por këto përpjekje ishin ndalur në komisionin parlamentar për siguri.
Një ndryshim i tillë cenon rolin kushtetues të Presidentes si udhëheqëse e Këshillit të Sigurisë në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme si dhe komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky ndryshim mund të ketë pasoja serioze në funksionimin e mekanizmave të sigurisë në vend, veçanërisht në situata krizash, ku rolet, kompetencat dhe përgjegjësitë e secilit autoritet dhe institucion shtetëror janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe Ligjin për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Një tentativë për largimin e kompetencave të Osmanit në fushën e sigurisë, ishte edhe me Ligjin për Këshillin e Sigurisë. Osmani e ka përdorur veton dhe ia ka kthyer këtë ligj Kuvendit, për shkak se ishin larguar kompetencat presidenciale në këtë fushë dhe ishte fshirë komplet kapitulli për gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndryshe, përplasjet e Osmanit me Kurtin dhe Gërvallën kishin filluar pas letrës që Gërvalla e kishte dërguar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa e njoftuar Presidenten.
Osmani kishte thënë se oferta e bërë nga Gërvalla, duke e nxjerrë Asociacionin nga pakoja, e kishte çuar dëm gjithë mundin e bërë përmes letrës së krerëve të shtetit dhe kishte thënë se arsyetimi për mos koordinim ishte qesharak.