Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, paralajmëroi se është e mundur një luftë e re nëse Irani vazhdon të kapë anije tregtare në Gjirin Persik, transmeton “Reuters”. Qasja e Iranit kontribuon në “spiralen e përshkallëzimit” që mund të çojë në luftë, tha ministri Mass, pasi komentoi zhvillimet e fundit mes Britanisë së Madhe dhe Iranit. Ai ka theksuar më tej se “çdo përshkallëzim ushtarak i pakontrolluar nuk mund të ketë fitues, por vetëm humbës”. Ministri gjerman i kërkoi liderëve të Iranit që të përmbahen dhe të mos vazhdonin me spiralen e përshkallëzimit.
Konfiskimi i cisternës britanike të premten, dhe për një kohë edhe i tankerit të dytë, e bën situatën në Gjirin Persik shumë më të vështirë dhe më të rrezikshëm se sa ishte, shkruan “Reuters”. Londra ka dënuar konfiskimin e anijes së saj në Gjirin Persik nga Teherani, duke theksuar se ka qenë duke operuar në mënyrë ligjore në territorin e Omanit, kur u rrethua nga forcat iraniane.
Ngjarjet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të tregtisë ujore në botë, ka ngritur tensionet në mes të Teheranit dhe Perëndimit, gjë që ka rritur frikën për ndonjë konflikt të mundshëm të armatosur. Ky incident ndodhi vetëm tre muaj pas një incidenti të ngjashëm, kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara ishin afër fillimit të luftës.
Britania e Madhe ka kërkuar nga Irani që ta lirojë anijen “Stena Impero” dhe e ka njoftuar Këshillin e Sigurimit se është duke punuar për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë diplomatike, shkruan “Reuters”.