Live

Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia

15:06 / 19 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Sot në Llugë të Podujevës, është përuruar shtatorja e heroit të kombit, Afrim Zhitisë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ali Ahmeti, ish-udhëheqës i UÇK-së në Maqedoni, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ahmeti, në fjalën e tij, tha fjalë të mëdha për Zhitinë.

“Sot po ngrihet shtatorja e kryeredaktorit të parë të gazetës ‘Minatori’, shtatorja e Afrim Zhitisë, të lajmëtarit të lirisë. Ky ishte kryeredaktori që e kërkonin në qiell e ai vepronte në tokën e Kosovës”, tha Ahmeti.

Haradinaj theksoi rëndësinë e kujtesës historike për gjeneratat e ardhshme, duke thënë se e kaluara duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen.

“Ne duhet të qëndrojmë të kujdesshëm që kujtesa jonë historike të ruhet, që e kaluara të jetë udhërrëfyes për të ardhmen dhe sa herë që kemi mundësi, ta paraqesim ashtu siç është. Ky akt i tillë i rezistencës në kohën e lirisë e ka përshpejtuar atë që ndodhi në Prekaz me komandantin legjendar e deri te liria e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë Kurti, duke përshkruar figurën e Afrim Zhitisë, i cili si 16-vjeçar nisi udhëtimin e tij politik, tha se, katër vitet që i kaloi në burg si i dënuar për aktivitetin politik të tij, i shtuan Afrimit përvojë jetësore dhe lexime teorike, duke i dhënë atij profilin e aktivistit politik shqiptar e progresist që angazhohet tërësisht për çlirimin e atdheut dhe për barazi e drejtësi.

“Nga burgu në përpjekje për liri, te jeta dhe te lufta për liri bashkë me Fahriun dhe me shokët e tjerë që ranë gjatë rrugës apo edhe ata që patën jetë ta jetojnë lirinë të gjallë deri sot mes nesh”, u shpreh ai.

Afrim Zhitia u vra më 2 nëntor 1989, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, bashkë me Fahri Fazliun.

Shpërndaje në

U Kopjua