Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për herë të parë ka dhënë më tepër detaje mbi sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi programin bërthamor të Iranit.
Hegseth deklaroi se aftësitë bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht, ku citoi disa organizata për t’i mbështetur këto pohime, përfshirë agjencinë e OKB-së për mbikëqyrjen bërthamore, e cila tha se sulmet kanë shkaktuar “dëme të jashtëzakonshme”, si dhe ministrinë e Jashtme të Iranit që e pranoi se ato ishin dëmtuar rëndë.
“Kolegu i betejës” i Hegseth, kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali Dan Caine, pastaj përshkroi se si forcat amerikane e realizuan misionin.
Caine dha detaje mbi sulmin ndaj objektit bërthamor në Fordo, armët e përdorura dhe përvojën e pilotëve, të cilët e përshkruan shpërthimin si “shpërthimi më i ndritshëm që kanë parë ndonjëherë”.
Megjithatë, nuk u dha asnjë provë e re se çfarë saktësisht ishte dëmtuar në programin bërthamor të Iranit.
Një raport paraprak i inteligjencës i dalë në publik tha se përbërësit kryesorë të programit bërthamor të Iranit kishin mbetur të paprekur.