Live

Peugeot dhe Jeep me drejtues të rinj

23:30 / 04 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Stellantis ka promovuar Antonella Bruno në krye të markës së saj Peugeot në Evropë nga roli i saj aktual që drejton biznesin e Jeep-it në rajon, ndërkaq shefi i ri i Jeep për Evropën është Eric Laforge, i cili aktualisht është në krye të njësisë së veturave të lehta komerciale të Stellantis për rajonin.

Rajoni i Evropës i Stellantis përfshin vendet nga zonat e Euroazisë dhe Ballkanit.

Bruno, një italiane e diplomuar në ekonomi, karrierën e saj në Ford në Itali e filloi në vitin 2000, ku rolet e saj përfshinin menaxhere marke, specialiste çmimesh dhe drejtoreshë për komunikim dhe media. Bruno u transferua te Fiat në vitin 2007 dhe u promovua në krye të Lancia në 2013. Ajo ka udhëhequr biznesin evropian të Jeep që nga viti 2020, transmeton Telegrafi.

Antonella Bruno

Shefi i ri i Jeep për Evropën, Laforge, e filloi karrierën e tij me Alfa Romeo në vitin 1990. Pas disa vitesh eksperience komerciale në Francë dhe Itali, ai ishte drejtor ekzekutiv i FCA Zvicër duke filluar nga viti 2011, më pas drejtori ekzekutiv i FCA Gjermani nga 2013 dhe drejtor i FCA në qendër Evropa nga 2019.

Laforge u bë kreu i Fiat Professional në vitin 2020 dhe u emërua kreu i rajonit të zgjeruar të Evropës për Stellantis në 2021-shin. Ai është i diplomuar në EGS Finance në Paris, ndërsa Bruno, e cila ishte emëruar Ylli në Ngritje për vitin 2015 nga Automotive News Europe, do të ketë një rrol më të madh brenda Stellantis tek marka Peugeot, e cila sa i përket shitjeve gjatë vitit të kaluar, u rendit në pozitën e 5të.

Eric Laforge

Në vitin 2022, Peugeot në Evropë shiti 619,173 vetura, një rënie prej 15 për qind, për të cilën udhëheqësit e markës fajësojnë problemet me dërgesa dhe mungesat e pjesëve. Sipas shifrave nga grupi i industrisë ACEA, Peugeot kishte 5.5 për qind të tregut vitin e kaluar, nga 6.2 për qind në vitin 2021.

Shitjet e veturave të Jeep në Evropë vitin e kaluar ranë për 20 për qind, apo thënë ndryshe me shifra në 103,174 njësi të shitura. Marka kishte një pjesë të tregut prej 0.9 përqind, nga 1.1 përqind në 2021.

Shpërndaje në

U Kopjua