Live

Pjesëtarë të EULEX-it e KFOR-it vendosen mbi objektet afër Urës së Ibrit

10:25 / 07 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it të mërkurën paradite janë vendosur mbi objektet afër Urës së Ibrit.

Ndërkaq, ekspertët për matjet e stabilitetit të urës të kontraktuar nga qeveria deri tani ende nuk janë parë te kjo urë, raporton RTK.

Në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë nga serbët lokal, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Zëvendësdrejori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha të martën për gazetën online Reporteri.net se protesta është thirrur, për siç kanë thënë, “gjendjen e keqe të serbëve”.

Sipas tij, protesta pritet të jetë e qetë, derisa bëri me dije se policia do të jetë aty që ta mbajë rendin dhe qetësinë publike.

“Grupi i qytetarëve e ka lajmëru protestën e nesërme nga ora 11:00-12:00, që planifikohet të mbahet në sheshin Car Lazar. Arsyeja e kësaj proteste është “gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjinden”. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbaj rendin dhe qetësinë publike”, ka deklaruar Elshani.

Gjatë së martës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përmendur këtë protestë duke pretenduar se “shqiptarët do të marshojnë në urën e Ibrit”referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë për një “tubim madhështor”.

Ndaj kësaj deklarate të Vuçiqit ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Kurtit, me të tilla pretendime të rrejshme, Vuçiq po synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, shkruan Reporteri.net.

Kurti ka thënë se këto pretendime të rreme “shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia”.

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha javën e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

“Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]“, tha Osmani.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...