Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj të akuzuarve Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve në protestat e 2015-ës, dëshmitari Ekrem Vllasa- në cilësi të zyrtarit policor tha që gjatë asaj proteste është goditur me një kubëz të betonit.
“Saktësisht te “Swiss Diamond” përballë, nga ana e djathtë e imja, kanë ardhë disa breshëri të copëzave të betonit dhe gurëzve dhe aty unë jam goditur nga një kubëz betoni dhe jam detyruar që të tërhiqem me ndihmën e dy kolegëve që kanë qenë afër dhe më kanë vendos në auto-ambulancë dhe shoqëruar në QKUK”, tha dëshmitari.
Vllasa deklaroi që në momentin që ka filluar protesta, protestuesit kanë filluar të hedhin gjësende të forta në drejtimin e zyrtarëve policorë, si tulla betoni dhe pjesë të metalta, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur nga prokurori Blerim Igrishta se ku ishte qenë i vendosur, dëshmitari tha që para se protesta të agravonte, ishte duke qëndruar në kordon prapa mburojave para objetit të Qeverisë.
“Kemi qenë të vendosur para objektit të Qeverisë- saktësisht unë kam qenë prapa kordonit me mburoja, apo siç quhet në fjalor policor në “operator taktik” dhe aty kemi filluar me shpërnda turmën në drejtim të sheshit ‘Zahir Pajaziti’”, shtoi ai.
Polici Vllasa theksoi se për shkak se ka pasur shumë persona të cilët kanë gjuajtur në drejtim të tij, nuk ka mundur që të identifikojë personin që e ka goditur.
“Kanë qenë shumë veta që kanë gjujatur në drejtim timin dhe e kam problem që të identifikoj se cili ka qenë”, tha Vllasa.
Për këtë, ai tha se kanë qenë një grup prej 30 apo 40 personave, të cilët kanë gjuajtur mjete të ndryshme në drejtim të tij.
Më pas, seanca u ndërpre për shkak se nuk kishte kushte për të vazhduar tutje.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, në këtë rast akuzohen Egzon Azemi, Luan Hoti, Naim Bunjaku, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli.
Mirëpo, për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli është veçuar procedura penale dhe ndaj tyre veçmas po zhvillohet procesi gjyqësor.
Në aktakuzë thuhet gjashtë të akuzuarit e lartcekur më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Aty thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.