Live

Presidentja Osmani vlerëson rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës

15:47 / 24 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiç, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik në vendin tonë.

Në njoftim bëhet e ditur se e para e shtetit shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të ambasadores në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për përkushtimin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

“Gjatë mandatit të Ambasadore Benedejçiç, janë realizuar vizita të shumta të nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve, të cilat kanë forcuar më tej raportet ndërshtetërore, duke reflektuar miqësinë dhe solidaritetin e ndërsjellë që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij slloven”, thuhet tutje në njoftim.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani vlerësoi rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës, që nga periudhat më të vështira historike e deri sot përmes mbështetjes në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mandatit të saj, presidentja i uroi Benedejçiç suksese në angazhimet e mëtejme.

Shpërndaje në

U Kopjua