Live

Probleme në burgun e Prizrenit

13:30 / 06 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Mungesa e mjeteve higjenike është ndër problemet kryesore qe e ka burgu i Prizrenit, kjo sipas një raporti nga  zyra e avokatit të popullit

Raporti në fjalë i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës realizuar në maj të këtij viti.

Hapësira jo e mjaftueshme e banimit për të burgosurit, dyshekët e vjetëruar, dushet në gjendje jo të rregulltë, janë disa nga problemet tjera të evidentuara .

“Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se, në disa raste, hapësirat e banimit për të burgosurit nuk janë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe as me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës. MKPT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të mjeteve higjienike. Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se dushet, në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, nuk ishin në gjendje të mirë higjienike dhe as teknike”, shkruan në faqen e avokatit të popullit.

Gjithashtu, ky Mekanizëm gjatë vizitës ka vërejtur se kontakti i të burgosurve me botën e jashtme dhe kushtet fizike janë në nivel të kënaqshëm dhe nuk ka barriera të cilat do ta pengonin kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet familjarëve dhe të burgosurve.

Sa i përket regjimit, MKPT-ja ka vërejtur se të dënuarit angazhohen në punë për pastrim, në kuzhinë dhe për mirëmbajtje të caktuara të objektit. Të dënuarit kanë mundësi të dalin në shëtitje gjatë gjithë kohës, dyert i kanë të hapura prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes. Përpos shëtitjes, ata kanë në dispozicion një tavolinë ping-pongu, lojën e shahut dhe letra domino.

Rekomandimet e avokatit të popullit për qendrën korrektuese Prizren qenë:

“ që të burgosurit të furnizohen me mjete higjienike; të evitohen mangësitë teknike të funksionimit të dusheve; të shtohen aktivitetet jashtë qelisë për të paraburgosurit; QPP-ja të furnizohet me dyshekë të rinj dhe cilësorë; të ndërpritet praktika e dërgimit të mostrave të gjakut në laborator jashtë QPP-së; si dhe të krijohen kushte adekuate pune për personelin mjekësor dhe për atë korrektues.”

Shpërndaje në

U Kopjua