Live

Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit që theri me thikë një person

11:29 / 28 Maj 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.K., i cili akuzohet se tentoi ta vriste një person pas një përplasjeje në komunikacion në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren.

Ai e goditi viktimën dy herë me brisk dhe ndodhet nën masën e paraburgimit që nga 18 prilli 2025, transmeton Klankosova.tv.

“Sipas aktakuzës, me datë 18.04.20245, rreth orës 21:00 min , në Prizren, në rrugën “Xhevat Berisha”, i pandehuri S.K., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me dashje tenton të privoj nga jeta të dëmtuarin N.B., në atë mënyrë që pas një aksidenti që ka ndodhur me automjete dhe pas një fjalosje të shkurtër lidhur me aksidentin, i pandehuri e nxjerrë një brisk me hapje e llojit “Boker”, me gjatësi tehu 9.5 cm, dhe e godet dy herë të dëmtuarin, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore, plagë prerëse dhe shpuese, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të
mprehtë”, thuhet në komunikatën për media.

“Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” sipas KPRK-së. Po ashtu, i pandehuri, posedon armën e ftohtë – briskun me hapje “Boker”, me
gjatësi tehu 9.5 cm, pa leje valide, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, shkruhet ndër tjerash në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua