Live

Prokuroria e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori

08:28 / 22 Janar 2025

Nga Kosova Live

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me koordinatoren nacionale për zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, kanë mbajtur takim të martën me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në Kosovë.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Kosovë si dhe menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, në kuadër të sistemit prokurorial, Besim Kusari.

Në këtë takim u diskutua për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Në këtë takim iu bë thirrje qytetarëve se nëse ndodh ndonjë rast i cenimi të votës ta raportojnë në polici apo prokurori.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet tjera ligjzbatuese në veçanti me Policinë e Kosovës”- thuhet në njoftim.

Në lidhje me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale – cenimi i fshehtësisë së votimit, në takim thuhet se Prokuroria e Prishtinës është duke i zhvilluar hetimet.

Gjithashtu u theksua se Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të trajtojë secilin rast me urgjencë dhe brenda afateve ligjore.

“Prokurori i Shtetit fton qytetarët të cilët kanë apo mund të kenë informata se në çfarëdo mënyre po cenohet fshehtësia e votës apo çfarëdo veprimi tjetër i ndërmarrë që bie në kuadër të veprave penale kundër të drejtës së votimit, t’i raportojnë ato tek Prokurori i Shtetit apo tek Policia e Kosovës”, theksohet në njoftim.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...