Live

Protesta kundër hapjes së Urës së Ibrit, KFOR-i: S’do të hezitojmë të marrim masa ndaj çdo zhvillimi që ndikon në siguri

15:14 / 07 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Qytetarë serbë protestuan sot në sheshin “Car Llazar” kundër hapjes së Urës së Ibrit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Lidhur me protestën, KFOR-it ka dalë me një komunikatë, ku ka bërë të ditur se gjithçka ka shkuar pa ndonjë shqetësim të sigurisë.

“Trupat e KFOR-it ishin në terren dhe kryen patrulla në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë. Demonstrata vazhdoi pa ndonjë ndërprerje të raportuar apo shqetësime sigurie. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë. KFOR nuk do të hezitojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Serbët dolën për të protestuar sot për të kundërshtuar hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

Tubimi në pjesën veriore të qytetit përfundoi pa incidente, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për gazetën online Reporteri.net se në protestë morën pjesë rreth 600 protestues.

Serbët janë shfaqur me pankarta “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti hap urën, përgjegjës do të mbeten KFOR dhe QUINT-i” dhe “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po lëshojnë deklarata, ne po na dëbojnë”.

Aty janë parë edhe drejtuesit e Listës Serbe: Zlatan Elek, Dragisa Miloviq, Slavko Simiç, Igor Simiç, Ivan Todosijeviq

Shpërndaje në

U Kopjua