Live

Protestat në Serbi “tronditin” Vuçiqin, Maliqi: Politika kosovare të ketë kujdes nga skenarët ku akuzohen shqiptarët

08:01 / 17 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Kosova nuk mundet ta përdorë në politikën e jashtme realitetin aktual në Serbi, atje ku po vijojnë protestat studentore, tashmë mbarë qytetare, ku po kërkohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu tha për Klankosova.tv, analisti politik, Shkëlzen Maliqi.

Sipas Maliqit, ka indice që rreth Kosovës dhe disa çështjeve politike, studentët nuk kanë unitet, andaj edhe përpiqen që të mos i hapin si të tilla, derisa të mos largohet regjimi i korruptuar.

Ai tha se protestat atje i ngjajnë protestave të “Occupay Wall Street” që nuk kishte një qendër dhe strukture hierarkike të organizimit, e që zgjati shumë kohë, por nuk pati sukses.

“Protesta e studentëve është vështirë e shfrytëzueshme nga Kosova, sepse ajo ka një karakter specifik, që nuk deklarohet për asnjë çështje politike dhe nuk ka adresë me të cilën mund të komunikohet dhe dialogohet. Edhe partitë politike në Serbi e kanë vështirë të depërtojnë te protesta studentore, ata nuk duan të lidhen me asnjë parti politike”, tha ai.

“Motivi dhe kërkesa kryesore e studentëve është përgjegjësia e plotë për tragjedinë në stacionin e trenit të Novi Sadit, që përfshinë tërë sistemin e korruptuar të Serbisë, ku institucionet nuk po kryejnë detyrat dhe obligimet që i kanë, përfshirë këtu para se të gjithash presidentin e serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili i tejkalon kompetencat kushtetuese”, vijoi tutje ai.

“Kosova mundet vetëm me prit dhe me mësu nga ky proces, studentët kanë vendosur kolektivisht me e humb vitin, gati e kanë detyru regjimin me shpall zgjedhje të jashtëzakonshme, gjithnjë me mjete paqësore, jo rebelim dhe kryengritje”, tha Maliqi për Klankosova.tv,

Maliqi bëri thirrje që politika kosovare të ketë kujdes që të mos e lejojë regjimin serb të provokojë ndonjë skenar të incidenteve të rënda në Kosovë, që viktimizojnë serbët e Kosovës, duke akuzuar shqiptarët.

Lidhur me këtë çështje, si argument, Maliqi përmendi sulmin një Banjskë.

“Politika kosovare duhet me pas kujdes që mos të lejojë që regjimi serb të provokojë ndonjë skenar të incidenteve të rënda në Kosovë, që viktimizojnë serbët e Kosovës duke akuzuar shqiptarët. Si për shembull Banjska, ka pasur dyshime që qëllimi i grupit terrorist të Radoiçiqit ka qenë masakrimi i pelegrinëve nga Vojvodina, që kanë qenë në vizitë të Manastirit, ku do të akuzoheshin shqiptarët si ekzekutorë, por u zbulua me kohë, dhe iu prish inskenimi”.

Në anën tjetër, nga Lugina e Preshevës, gazetarja Ardita Behluli për Klankosova.tv, tha se protestat kanë nisur të tronditin stabilitetin politik të qeverisë së presidentit Vuçiq.

Derisa, shtoi se sipas analistëve atje, nëse protestat vazhdojnë me këtë intensitet dhe mbështetje, skenari i zgjedhjeve të parakohshme në fund të vitit nuk përjashtohet.

“Opozita e përçarë ka filluar të koordinojë më shumë veprimet e saj, ndërsa pjesë të shoqërisë civile janë bërë më aktive në kërkesat për demokraci funksionale. Edhe pse pushteti për momentin mban kontrollin e institucioneve kryesore, presioni publik dhe ndërkombëtar pritet të shtojë presionin për lëshime politike”.

Ndërkaq, sa i përket ndikimit të këtyre protestave në Luginë të Preshevës, Behluli tha se atje shqetësimet janë të përqendruara në diskriminim institucional ndaj shqiptarëve, dhe se deri tash nuk ka ndikim.

“Deri më tani protestat e studenteve që po zhvillohen në qytete si Beogradi, Novi Sadi e Nishi nuk kane pasur ndikim në Luginë të Preshevës. Ne mendojmë se studentët protestojnë për: zgjedhje të lira e të ndershme, drejtësi për ngjarje tragjike si sulmet në shkolla apo në stacione, llogaridhënie të qeverisë në nivel shtetëror”, shtoi ajo.

“Atmosfera e mosbesimit ndaj institucioneve shtetërore dhe kërkesa për ndryshim politik që vjen nga protestat studentore në mbarë Serbinë, mund të inkurajojë edhe të rinjtë në Luginë të bëhen më aktivë në kërkesat e tyre”, përfundoi Behluli.

Ndryshe, në më shumë se 30 qytete të Serbisë po vazhdojnë prej muajsh të zhvillohen protesta masive

Shpërndaje në

U Kopjua