Për një orë, treni në Stacionin Hekurudhor në Fushë Kosovë ndaloi së funksionuari si pjesë e një proteste të organizuar nga punëtorët e kompanive publike “Infrakos” dhe “Trainkos”.
Kjo është hera e dytë që punonjësit protestojnë, duke kërkuar një rritje të domosdoshme të pagave, të cilat, sipas tyre, nuk janë ndryshuar për më shumë se 15 vjet.
Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”, Hysen Nikçi, deklaroi se kërkesa e vetme është rritja e pagave, dhe se ky veprim simbolik është një paralajmërim i fundit për institucionet përgjegjëse – para hyrjes në grevë nga 26 maji, në rast se kërkesat nuk plotësohen.
“Sot është protesta e dytë, protestojnë ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’ për ngritjen e pagave. Sot jemi mbledhur për t’i bërë thirrje edhe bordit edhe qeverisë të rregullojnë çështjet tona. Të dy kompanitë, kërkojmë rritjen e pagave. Kjo është protesta e dytë që nuk ka dhënë rezultat. Protestën sot e kemi bërë një orë, ndoshta iu shkon në vesh më shumë. Kanë një javë të reflektojnë. Nëse jo, nga e hëna do ketë bllokadë totale”, ka deklaruar Nikçi.