Inspektoriati i Punës ende nuk ka marrë asnjë “masë” ndaj kompanisë “BanaKing”, edhe pse një punonjës i tyre ka humbur shikimin në njërin sy.
Inspektoriati ka lajmëruar se deri më tani nuk ka marrë asnjë veprim.
Përkundrazi, që prej ditës 18 shkurt kur ka ndodhur incidenti, deri më sot, lajmëron se ka kryer vetëm “procedura inspektuese”. Ndaj nuk ishin në gjendje që të zbulonin detaje lidhur me kushtet e punës së 48-vjeçarit që humbi shikimin.
“Ne lidhje me kerkesen tuaj mbi aksidentin e ndodhur te nje punemarresi te “Bana King”, por me emer subjekti “Zico”, ju informojme se aksidenti i ndodhur më datë 18.02.2025 është njoftuar nga punëdhënësi pranë ISHPSHSH-së, ku menjëherë është hapur proçedura inspektuese, e cila është aktualisht në vazhdimësi. Në përfundim të proçedurës inspektuese do t’iu bëjmë me dije mbi rezultatet e këtij inspektimi. Per subjektin “Zico” nga viti 2016-2024 rezultojnë 10 inspektime te kryera nga ISHPSHSH,”-bën me dije për ZËRI-n, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Si ndodhi ngjarja?
Incidenti ka ndodhur teksa punonjësi ishte duke hapur arkat e bananeve në kontenier dhe në një moment bisturia i ka shkarë nga dora dhe e ka dëmtuar në sy. Edhe pse është dërguar me urgjencë në spital, punëtori e ka humbur shikimin në njërin sy. Kompania ka marrë gjobë të lartë nga inspektoriati i punës, për shkak se punonjësi ishte punësuar pa dokumentin përkatës. Punonjësi nuk kishte nënshkruar një kontratë ku njihej me risqet në punë dhe kjo ka sjellë gjobitjen e Bana King. ZËRI ka tentuar që të kontaktojë me kompaninë, por ka qenë e pamundur. Edhe tani, që ka një njoftim nga Policia e Durrësit, ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e Kompanisë. Aktualisht punonjësi ndodhet te spitali Francez në kryeqytet ku po merr ndihmën e parë nga mjekët.