Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) është shprehur thellësisht e shqetësuar me situatën që po mbretëron në mesin e bizneseve të mëdha prodhuese në vend për çështjen e kalimit në treg të lirë të energjisë elektrike.
Përmes një reagimi, kjo shoqatë ka kërkuar rishqyrtim urgjent të vendimit që parasheh daljen e detyrueshme të konsumatorëve jo-shtëpiakë në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa ndonjë periudhë tranzicioni apo përgatitje të duhur institucionale dhe tregtare.
“Bazuar në të dhënat tona, me një vendim të tillë rrezikohen mbi 1240 kompani aktive, përfshirë 130 kompani prodhuese, të cilat punësojnë në total mbi 143,000 qytetarë të Republikës së Kosovës. Ky është një segment jetik i ekonomisë vendore që kontribuon në zhvillimin industrial, punësimin dhe qëndrueshmërinë sociale të vendit”.
“Vendimi aktual, i cili kategorizon bizneset në mënyrë të padrejtë vetëm mbi bazën e numrit të të punësuarve, krijon padrejtësi të dukshme. Ilustrim konkret i kësaj pabarazie është rasti i dy kompanive me të njëjtin aktivitet prodhues: Kompania A me 43 të punësuar, e cila mbetet në tregun e rregulluar, dhe Kompania B me 57 të punësuar, e cila detyrohet të dalë në tregun e lirë dhe të përballet me rritje çmimi mbi 240%”, thotë LBK.
Kjo ndarje arbitrare, siç e quan LBK, jo vetëm që cenon konkurrencën e drejtë në tregun vendor, “por e bën të pamundur konkurrueshmërinë e bizneseve tona në tregun evropian, në të cilin pretendojmë të integrohemi”.
LBK thotë se kërkesa e tyre është e qartë dhe e argumentuar në baza ekonomike dhe praktike.
“Të shtyhet zbatimi i vendimit deri në vitin 2027, duke ofruar kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tregut, ndërtimin e infrastrukturës institucionale dhe mbështetjen e bizneseve në këtë tranzicion”.
“Të krijohet një fazë tranzicioni me standarde të qarta, që ofron stabilitet dhe parashikueshmëri për bizneset dhe që garanton barazi të trajtimit për të gjithë operatorët ekonomikë”.
“Të përfshihen institucionet ekonomike dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në hartimin e modelit të liberalizimit të tregut, në mënyrë që ky proces të jetë funksional, i drejtë dhe në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm”, janë tri prej kërkesave të LBK-së.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës thotë se nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë – “përkundrazi, bizneset tona janë të gatshme të operojnë në kushte tregu të hapur dhe konkurrues, por kjo duhet të ndodhë vetëm kur ekzistojnë kushtet reale për funksionim të barabartë dhe të drejtë”.
Në të kundërtën, kjo shoqatë thotë se një zbatim i menjëhershëm dhe i pakonsultuar i këtij vendimi do të çojë në rritje të mbylljeve të ndërmarrjeve prodhuese, rritje të papunësisë, rritje të inflacionit përmes kostove të transferuara te qytetarët, dhe rënie të konkurrueshmërisë ekonomike të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Ky është një moment kritik për të ndërmarrë një vendim të përgjegjshëm, të matur dhe të bazuar në interesin kombëtar ekonomik. Ne apelojmë për dialog të hapur, bashkëpunim institucional dhe shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për të parandaluar pasojat e pariparueshme për ekonominë e vendit”, përfundoi reagimi i LBK-së