Derisa autoritetet iraniane vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bien në panik pas sulmeve izraelite, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë trafik të ngarkuar ku shumë qytetarë përpiqen të largohen nga kryeqyteti, Teherani.
Tensioni është rritur edhe më tej pasi ushtria izraelite ka lëshuar një “paralajmërim urgjent” për evakuim të menjëhershëm të një zone të gjerë të qytetit – gjë që pritet të përkeqësojë edhe më shumë situatën në rrugët e Teheranit.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të veprojnë në orët në vijim në këtë zonë, ashtu siç kanë vepruar gjatë ditëve të fundit në gjithë Teheranin, për të goditur infrastrukturën ushtarake të regjimit iranian,” ka shkruar zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adraee, në “X”.
Ai ka bashkëngjitur një hartë me njoftimin, ku thuhet se banorët e lagjes nr. 3 të qytetit duhet të largohen.
“Prania juaj në këtë zonë rrezikon jetën tuaj,” përfundon paralajmërimi.