Live

Rama nderon Kryepeshkopin e Shqipërisë: Mori mbi supe edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë me Greqinë

13:19 / 30 Janar 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti fjalën e tij në ceremoninë e lamtumirës për kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos, e cila u zhvillua këtë të enjte në Katedralen Ortodokse në Tiranë “Ngjallja e Krishtit”. Rama u ndal te roli i Kryepeshkopit Anastas në ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare si dhe në marrëdhëniet fqinjësisë mes Shqipërisë e Greqisë.

“Si një hierark i një bashkësie shoqërore historike me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar, janë qortuar e deri edhe janë anatemuar.

Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës. Por edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë e në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era dhe ku gjithmonë e më pak mundësi i lihet shpirtit të shenjtë të fryjë nga të dojë, siç shkruhet tek ‘Gjeneza.

Por përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej dhe këtej kufirit të rihapur pas gjysmë shekulli heshtje mortore dhe të shuara më pas si një hall në oborrin e përbashkët dhe përtej paragjykimeve dhe dyshimeve kronike të lagjes sonë ballkanike askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim dhe durim të madh”, tha Rama.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...