Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte këtë të enjte në një takim me punonjësit e Bashkisë së Tiranës.
Ai tha se i bashkohet qëndrimit të atyre që shkuan të protestonin para SPAK, por tha se ajo sjellje nuk duhet përsëritur, pasi gjithsesi edhe drejtësia sipas tij “nuk ka si të jetë e pagabueshme”.
“Të dashur punonjës të Bashkisë së Tiranës, e kërkova këtë mbledhje, pasi gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush por edhe mes shumë të tjerësh, njerëz të prekur, njerëz të zhgënjyer, të dëshpëruar. Disa prej jush dolën edhe para prokurorisë speciale për të protestuar ditën që kryetari i bashkisë u fut në burg pa gjyq. Ai ishte një gabim që nuk duhet të përsëritet më.
Secili prej jush përfaqëson një skuadër të madhe, një pushtet autonom dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të shfaqet para një pushteti tjetër. Unë nuk mendoj shumë ndryshe nga ata që shkuan atje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, mbahet sot në burg me statusin e të dyshuarit dhe ende jo me atë të pandehurit apo të fajtorit.
E transformuam Tiranën nga një ferr mbi tokë në një qytet evropian me kurajo dhe me mundime shumë të mëdha, ashtu kemi vendosur të transformojmë dhe drejtësinë në Shqipëri”, tha Rama.