Ish-kryeinspektorin e AKI-së, Burim Ramadani ka folur në lidhje me ndalesat që po u bëhen shqiptarëve në Serbi, e konkretisht edhe për rastin e fundit të ish-policit Arbnor Spahiu.
Në lidhje me këtë ai tha se trajtimi i rastit të Spahiut nuk duhet të jetë në modelin e rasteve të zakonshme dhe se ajo që po bën Serbia s’ka të bëjë me çështje ligjore.
Ndalimi i tij, sipas Ramadanit është një dëshmi për një situatë krejtësisht politike nga Serbia.
“Së pari, asgjë nga Serbia në këtë drejtim nuk është e zakonshme dhe nuk është normale. Nuk ka të bëjë fare me çështje ligjore. Së dyti, një qytetar i Kosovës po mbahet i kidnapuar vetëm sepse ka shërbyer në sektorin e sigurisë, përkatësisht në polici. Kjo dëshmon për një situatë krejtësisht politike nga Serbia”, u shpreh ai për Klankosova.
Eksperti i çështjeve të sigurisë pati edhe një thirrje për institucionet e Kosovës, duke thënë se është e domosdoshme ngritja e nivelin të reagimit.
Ramadani theksoi edhe një aspekt tjetër, atë të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, për çka ai tha se derisa ish-polici është në paraburgim, një proces i tillë nuk do të duhej të vazhdonte.
“Institucionet e Kosovës duhet domosdoshmërisht të ngrejnë nivelin më të lartë të reagimit. Nuk mund që në të njëjtën kohë që Serbia ka kidnapuar një ish-polic, të vazhdojë dialogu në Bruksel thua që gjithçka është normale”, tha ai.
Ish-shefi i AKI-së për qytetarët apeloi të mos kalojnë nëpër Serbi, siç tha ai edhe nëse moskalimi ka kosto më të lartë financiare.
“Po ashtu, bëj thirrje që qytetarët e Kosovës të mos kalojnë nëpër territorin e Serbisë. Edhe nëse i duhet të kenë kosto më të lartë financiare, më sigurt është të zgjedhin rrugë tjera”, u shpreh tutje Ramadani.